Vushtrria

Vushtrria, Viçitrina ose Vuçitërna është qytet i lashtë, por edhe modern, i cili ndodhet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Vushtrria e sotme më herët është quajtur Viciana[1], apo siç njihet në burimet latine: Vicianum.[2] Në veri kufizohet me Mitrovicën, në lindje me Besianën, në jug me Kastriotin, në jug-perëndim me Drenasin dhe në perëndim me Skënderajn. Sipërfaqja e tërësishme e saj përfshin 345 km². Ndërkaq, vlerësohet të ketë rreth 69,881 banorë, nga të cilët mbi 92% shqiptarë. Nën administrimin e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë përfshihen 67 fshatra. Qytetin e Vushtrrisë e përshkojnë lumi Sitnica, si lumi më i madh që përshkon tejpërtej territorin e Komunës, ndërsa dy lumenj më të vegjël, Tërstena dhe Studimja, kalojnë nëpër qytetin e Vushtrrisë. Gjuhët zyrtare janë shqipja dhe serbishtja, ndërsa në vitin 2008, Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që në përdorim zyrtar të jetë edhe gjuha turke.

Historia

Vushtrria është një vend i lashtë, që daton më herët se Perandoria Romake, përkatësisht që nga koha e Dardanëve. Në kohën e Perandorisë Romake ka patur një stacion me emrin Vitianum, siç e dëshmon edhe mbishkrimi i gjetur në rrethin e Kumanovës, që konsiderohet shenjë e kahjes së rrugës për në Vicianë.[4] Në fund të shekullit I para Krishtit, Viciana pushtohet nga Perandoria Romake. Gjatë periudhës së pushtimit romak (I-V), Viciana kishte arritur një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik dhe kulturor. Në vitin 395, pas shkatërrimit të Perandorisë Romake, Viciana mbeti në kuadër të Bizantit. Ndërkaq fiset turke dhe sllave që erdhën në Ballkan në shekullin VI-VII, e shkatërruan këtë gadishull dhe toponimet e vjetra pellazgo-ilire ua përshtatën gjuhëve të tyre. Në mesjetë Viciana shënohej me emrin VIÇITRINA (Trina e viçave), ndërsa sllavët këtë emër e sllavizuan duke e quajtur "VUÇITRN".[4]

Ekonomia

Degët kryesore të veprimtarisë ekonomike në Vushtrri gjatë viteve 1918 - 1941 kanë qenë: bujqësia, blegtoria, zejtaria, tregtia etj. Në bazë të regjistrimit të vitit 1928, në Vushtrri janë prodhuar-grumbulluar rreth 300 deri 400 vagonë drithë. Ndërkaq janë prodhuar 5.500 dema dhe buaj për therje, 6.000 dhi për lesh dhe 1500 kg djathë dhe kaçkavall. Në Vushtrri ishte e zhvilluar edhe zejtaria. Kishte kryesisht lëkurëpunues, metalpërpunues, pëlhurëpunues, etj. Sa i përket industrisë, Vushtrria kishte 5 mini-elektrana të lëshuara më 1929 dhe një sharrë druri me rrymë. Është interesante të theksohet se në vitin 1922, në Vushtrri u themelua Banka Kreditore e Vushtrrisë. Në vitin 1921, vetëm qyteti i Vushtrrisë (pa fshatrat) kishte 4.667 ose 940 shtëpi.